Ballina Flash

Meta: Korrupsioni, problem shqetësues për shqiptarët

TIRANË, 13 prill/ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një deklaratë për mediet foli për anketën e Institutit Ndërkombëtar Republikan, ku shqiptarët shprehen se problem shqetësues është korrupsioni.

Meta tha se, kandidatët e PL do të ofrojnë një program që do të lehtësojë koston e jetesës në vendin tonë.

“Në Tiranë, Instituti Republikan Ndërkombëtar sapo ka publikuar një anketim, nga del se pjesa dërrmuese e qytetarëve shqiptarë renditën shtrenjtimin e jetesës dhe korrupsionin si shqetësimet e tyre më të mëdha. Ata shprehen se, demokracia shqiptare nuk ka përparuar sa duhet, dhe se janë të shqetësuar për emigrimin e shtuar kohët e fundit. 87 % e tyre pohuan se, korrupsioni është një problem serioz në Shqipëri. Pjesa dërrmuese e të anketuarve, 79 % e të rriturve, pohuan se, çmimet e larta dhe kostot e jetesës janë çështje kryesore të vendit. Pjesa më e madhe pohojnë se, gjendja ekonomike ka mbetur njësoj ose është përkeqësuar. 53 % e qytetarëve mendojnë se, drejtuesit bashkiakë po punojnë pak ose aspak për të trajtuar nevojat e banorëve. Janë rikandiduar afro 3/4 e bashkiakëve aktualë të mazhorancës”, tha ai.

Po ashtu, Meta tha se, “një numër i madh qytetarësh, nga të gjithë moshat dhe profesionet, madje edhe nga të gjithë shtresat dhe nivelet e jetesës po largohen nga Shqipëria.

“Emigrimi është vërtet një shqetësim i madh, sepse ndikon në të gjithë ekonominë, tek forca punëtore, kompanitë kërkojë punëtorë në degët e tyre. Banka Botërore konstaton se, për 25 % të popullsisë me të ardhura më të ulëta, 70 % e të gjithë të ardhurave të tyre shkon vetëm për ushqimin. Pa llogaritur të ardhurat për ilaçet, qiranë e banesës, për energjinë elektrike, taksat, tarifat vendore, etj. Plani i kandidatëve tanë ndihmon shumë për të ulur koston e jetesës. Do ulim taksat vendore që janë rritur në mënyrë marramendëse”, tha Meta.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNgjarja në Vaun e Dejës, Balla-opozitës: Bëni kallëzimet nëse keni prova
Artikulli tjetërKQZ zëvendëson deputetët që lanë mandatin për të garuar në zgjedhjet vendore