TIRANË, 12 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me strukturat drejtuese të partisë.
Në fjalën e tij, Meta vlerësoi kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” duke vënë theksin tek kandidati për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçit, që sipas tij ka një program që ka krijuar një entuziazëm të jashtëzakonshëm
“Durrësi dhe Elbasani e dhanë mesazhin e tyre besoj e gjithë Shqipëria e dëgjoi, por mesazhin e Tiranës do ta dëgjojë e gjithë bota. Ashtu sikurse programi i kandidatit tonë Belind Këlliçit është një program që ka krijuar një entuziazëm të jashtëzakonshëm tek të gjithë qytetarët e kryeqytetit sepse shohin se, më në fund po vjen një kryetar me një program për qytetarët dhe jo thjesht me një plan për disa oligarkë dhe plaçkitës të hapësirave të gjelbërta, të fushave sportive, të oborreve të shkollave e kështu me radhë”, tha Meta
Meta shtoi se, edhe anketa e fundit e sapo bërë publike nga Instituti Republikan Amerikan tregoi qartë që tre janë problemet më të mëdha për qytetarët në Shqipëri.
“Shtrenjtimi i kostos së jetesës dhe ky shtrenjtim vjen kryesisht nga korrupsioni dhe së dyti vetë korrupsioni si baza e kësaj varfërie dhe shtrenjtimit të kostos së jetesës dhe natyrisht largimi i fuqisë punëtore dhe të rinjve. Mendoj se dhe ne duhet të përqendrohemi fort këtu edhe ajo që është e sigurt që Partia e Lirisë i garanton të gjithë qytetarëve të Tiranës, por jo vetëm të Tiranës, gjithë Shqipërisë që ne për gjithçka që premtojmë do t’i qëndrojmë besnikërisht përpara qytetarëve të Tiranës“, theksoi Meta.
Po ashtu, Meta tha se, janë 350 milionë euro në vit që grumbullohen nga taksat e qytetarëve që jetojnë në Tiranë dhe këto taksa nuk shkojnë për qytetarët e Tiranës.
“Se po të shkonin këto për qytetarët e Tiranës, do ta dinte e gjithë Tirana se kush është kryetari apo kryetarja e Këshillit Bashkiak në këto 4 vjet. Që ka firmosur 1.4 miliard euro në këtë mandat që bashkia t’i bëjë rrush e kumbulla lekët siç po i bëjnë dhe këto lekët e fundit, që po i vjedhin. As rrugë, s’po bëjnë, as kanalizime s’po bëjnë, as trotuare, asnjë gjë. Vetëm justifikojnë vjedhjet e fundit”, u shpreh Meta.
/gj.m/












