TIRANË, 11 prill/ATSH – I. Vata/ Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi ka zhvilluar një takim me qytetarë në praninë e kryetarit të PL, Ilir Meta.
Në fokus të këtij takimi qëndronte familja, ndërsa Boçi paraqiti edhe programin që, sipas tij, do t’i vijë në ndihmë familjeve shqiptare.
“Është kënaqësi që jam pjesë e këtij takimi mjaft domethënës. Unë do të thoja që thelbi i çdo iniciative politike në një shoqëri të emancipuar është familja. Fatkeqësisht shoqëria shqiptare është në një goditje të vazhdueshme ekonomike dhe politike dhe kjo goditje më shumë ndihet te familja. Ka një agresion ndaj familjes jo thjesht në planin ekonomik dhe social por edhe në aspektin e disa axhendave janë krejtësisht të papranueshme, pasi amësia dhe atësia janë thelbi i familjes dhe jo prindi 1 dhe prindi 2. Këto iniciativa janë kundërshtuar në çdo forum të PD dhe PL dhe një familje e shëndoshë e tradicionale është vlera dhe siguria e një shoqëria që zhvillohet. Unë hapjen e fushatës e kam nisur me gratë pasi prania e tyre është moral në politikë. Në çdo politikë fokusi është familja, amësia është thelbi i saj, nëse ne duam të shohim sa e fortë është një familje duhet parë roli i gruas në shoqëri. Zoti e krijoi gruan nga brinja e burrit, nuk e krijoi as sipër kokës së tij e as poshtë këmbëve të tij, por e vendosi atë pranë zemrës së tij”, tha ai.
Po ashtu, Boçi tha se vëmendja është tek ekonomia, tek arsimi.
“Te shëndetësia dhe te turizmi që kanë si qëllim shëndoshjen e ekonomisë së familjes shqiptare. Gruaja në Shqipëri ka një jetë të trefishtë. Është nëna që rrit fëmijët, ka jetën e saj profesionale të cilës duhet t’i përkushtohet. Kjo krijon këto lloj vështirësish që duhen konsideruar dhe shoqëria dhe pushtetet politike duhet të marrin iniciativa për të lehtësuar pozicionin e gruas. Investimi për fëmijët është investim për gruan”, tha ai.
/r.e/





















