Ballina Aktualitet

Këlliçi me banorët e Kodrës së Priftit: Prona është e shenjtë

TIRANË, 6 prill/ATSH/ Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi vijoi të shpalosë programin për drejtimin e kryeqytetit pas zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Këlliçi u angazhua para qytetarëve se asnjë objekt më i vjetër se 50 vjet nuk do të shembet dhe se prona apo shtëpia e çdo qytetari, nuk do të preket.

“Për banesat mbi 50-vjeçare, u jap premtim konkret, asnjë banesë, shtëpia e askujt nuk do të preket dhe nuk do t`i vidhet prona askujt që banon, jo në godinë 50-vjeçare, po dhe 60, po 70 dhe më të vjetër. Do të ketë, nëse do të jetë e nevojshme pa diskutim një audit, që do të bëhet në prezencë të banorëve, të qytetarëve për pjesën që i takon bashkisë Tiranë, ama shtëpia nuk do t’i prishet asnjë qytetari, prona nuk do t’i vidhet asnjë qytetari, dhe garanci jam unë, fjala ime, kjo video që kam sot para jush, emri im”, u shpreh Këlliçi.

Këlliçi u shpreh se, në të ardhmen, çdo pronë e qytetarëve që do të preket nga veprat publike, do të dëmshpërblehet me çmim tregu, ndërsa ajo nuk do të merret pa pasur dakordësinë e pronarit të saj.

“Unë u jap një premtim publik, në radhë të parë përsëris premtimin që kam dhënë te “5 Maji”: çdo qytetari që mund t’i preket shtëpia apo prona për shkak të një projekti shtetëror, do të dëmshpërblehet me vlerën e tregut dhe asnjë lloj ndërhyrje nuk do të bëhet pa u dakordësuar me qytetarin”, tha Këlliçi.

Para banorëve të zonës së “Kodrës së Priftit” dhe gjithë njësisë nr. 3, Këlliçi tregoi edhe planin për zgjidhjen e problemit të parkingjeve në kryeqytet, ku pritet që 30 % e parkingjeve publike me pagesë, të bëhen pa pagesë për qytetarët.

“Ndërkohë, një nga gangrenat më të mëdha që e keni dhe ju dhe e ka e gjithë Tirana, është çështja e parkimit. Çdo lagje ka një problem sot, që ka mungesa të hapësirave për parkim. Padiskutim minimalisht do t’i dedikojë 30 % më shumë të zonave që janë me pagesë, do t’ia kaloj pa pagesë qytetarëve dhe komunitetit. Dhe pa diskutim do të kemi një rikualifikim të lagjeve në brendësi për të krijuar mundësinë që edhe vendet e parkimit t’i kemi të sakta, të vijëzuar, të rregullta, po edhe lagjet të kenë një pamje normale”, deklaroi Këlliçi.

Për zonën e “Kodrës së Priftit”, Belind Këlliçi premtoi ndërtimin e të paktën tre institucioneve arsimore gjatë mandatit të parë.

“Në zonën e “Kodrës së Priftit” një nga mangësitë më të mëdha është mungesa e shkollave, çerdheve, kopshteve. Padiskutim do të ndërhymë patjetër për të ndërtuar të paktën një shkollë, një kopsht, një çerdhe në mandatin e parë në zonën e “Kodrës së Priftit”. është një zonë e cila është lënë totalisht në harresë nga administrata aktuale e bashkisë Tiranë”, u shpreh Këlliçi.

Edhe në këtë zonë, Belind Këlliçi shpjegoi angazhimin e tij për transport publik falas, nga i cili përfitojnë shtresat në nevojë në kryeqytet.

“6.8 % e buxhetit për t’i shërbyer një qyteti të tërë. Për të lehtësuar minimalisht me 50 mijë lekë në muaj xhepat e familjeve në nevojë. Ky premtim nuk është për të pasurit, ky premtim nuk është për biznesmenët, nuk është për oligarkët, ky premtim është për qytetarët në nevojë. është për pensionistët, për ata që jetojnë me minimum jetik, është për ata që janë në vështirësi ekonomike, është për ato familje që janë me ndihmë ekonomike, dhe është mbi të gjitha për studentët”, tha ai.

Në takim merrnin pjesë edhe kreu i listës për anëtar të këshillit bashkiak, Dr.Ilir Alimehmeti, Silva Caka apo dhe kandidatë të tjerë, të cilët u bën thirrje qytetarëve të mbështesin opozitën e bashkuar dhe koalicionin “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet e 14 majit, për të bërë realitet angazhimet e Belind Këlliçit për qytetarët e Tiranës.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFelaj takim me drejtorin rajonal të NDI-së, mbështetje për hartimin e legjislacionit
Artikulli tjetërHaxhiu dhe Tahiri përplasen në Kuvend për reformat në drejtësi