Ballina Ekonomi

Rama: Rritja e pagave, prioritet kombëtar

TIRANË, 5 Prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vijoi sot takimet informuese për rritjen e pagës minimale dhe për reformën e rëndësishme që po ndërmerr qeveria për ta bërë tregun më tërheqës dhe krahun e punës më të mirëpaguar kudo në vend.

Rama zhvilloi një takim me punonjësit e një kompanie që operon në sektorin e shërbimeve hoteliere me 233 të punësuar, ku theksoi se, pagat e punonjësve mbeten një prioritet kombëtar i përbashkët.

Sipas tij, vendi ka hyrë në një fazë të re zhvillimi që bazohet në një shtyllë kryesore, turizmi.

“Kjo e bën të domosdoshme të garantojmë edhe forcat e punës. Për këtë duhet të garantohet trajtimi me respekt i tyre. Arsyeja pse kjo kompani bën sukses është tek ky dallim, por ka edhe plot kompani që ndryshe nga kjo vazhdojnë gënjejnë mendjen se, duke pasur 54 % të punonjësve me pagë minimale do të mund t’i mbijetojnë kësaj kohe. Këto kompani në këtë sektor dhe në çdo sektor do të humbasin me shpejtësi para syve atë që është oksigjeni pa të cilën kompania nuk jeton, krahun e punës”, tha Rama.

Duke iu referuar statistikave, Rama theksoi se, tek gjysma e të punësuarve në shërbimin e hoteleri-turizmit që kanë pagë minimale qëndron dhe një tjetër problem i madh, për të cilin do të veprojmë, që është mashtrimi i shtetit dhe grabitja e punonjësve duke mos deklaruar pagën e tyre reale.

“Nuk është e vërtetë shifra që të gjithë ata punonjës janë me pagë minimale se nuk të vjen njeri kaq kollaj me pagë minimale, jo në zonat ku bëhet turizëm real. Nuk ka shans të vijë njeri me pagë minimale, por ia deklaron pagën minimale dhe i jep në të zezë ca lekë të tjera. Në këtë mënyrë i vjedh pensionin dhe të drejtën që të marrë shërbimin dinjitoz shëndetësor”, tha ai.

Kryeministri theksoi se, nuk mundet dot që të pranojmë akoma që sipërmarrësit të bëjnë lodra me punonjësit duke iu dhënë paga nën dorë dhe duke i marrë sigurimet shoqërore.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKPK i kërkon Osmanit që me urgjencë të dekretojë Blerim Isufajn në pozitën e Kryeprokurorit
Artikulli tjetërVARSHAVË – Zelensky falënderon Poloninë për ndihmën ushtarake dhe mbështetjen e Ukrainës drejt BE-së