Ballina Flash

Panairi “Work and Study”, Kushi: Bursa sa paga minimale në programet prioritare

TIRANË, 21 mars/ATSH/ Panairi kombëtar “Work and study” që këshillon maturantët për karrierën është ndalur në Elbasan, ku të rinjtë janë njohur me programet e studimit të ofruara nga universitete të ndryshme në vend, si dhe ofertat e punësimit nga ana e bizneseve.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi u shpreh mjaft optimiste për kontributin që jep çdo vit ky panair, i organizuar në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë e që tashmë shërben si një busull shumë e mirë orientimi për të rinjtë drejt të ardhmes së tyre.

Kushi i njohu të rinjtë e Elbasanit me një pjesë të politikave lehtësuese në programet e studimit dhe sektorët e punësimit, duke nënvizuar se falë ndërkombëtarizimit, universitetet shqiptare tashmë kanë marrëveshje bashkëpunimi dhe programe studimi të përbashkëta e të dyfishta me simotrat e tyre në Evropë, çka garanton cilësi dhe vlerë më të lartë për diplomat e tyre.

Ministrja u bëri thirrje të rinjve që të përfitojnë nga programet prioritare të studimit, të cilat janë një mundësi dhe mbështetje e mirë për studentët, duke përfituar përjashtim nga tarifat dhe bursa sa paga minimale.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAmazon shkurton edhe 9 000 vende pune
Artikulli tjetërRama takon kreun e Parlamentit grek: Qytetarët në vendet respektive, urat e forta mes nesh