TIRANË, 21 mars/ATSH/ Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari u shpreh sot se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut, konfirmon shumë qartë të gjitha shqetësimet e ngritura nga opozita.
Sipas tij, raporti evidenton shkatërrimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, me blerjen e votave dhe presionin ndaj administratës publike.
Braimllari tha se “raporti i Departamentit të Shtetit vë në dukje dhunimin e sigurisë juridike për pronën, kapjen nëpërmjet presionit të sistemit gjyqësor dhe pandëshkueshmërinë për korrupsionin masiv që është shtrirë në të gjithë nivelet e shtetit”.
“Ndaj 14 maji është dita më e madhe dhe momenti më vendimtar për çdo shqiptar për rivendosjen e shtetit ligjor, barazisë përpara ligjit dhe votës së lirë, të goditjes shumë të fortë dhe përfundimtare të korrupsionit dhe vjedhjes të qeverisë, të rivendosjes së lirisë së medias dhe fjalës së lirë”, tha ai.
/m.m/r.e/























