Ballina Flash

Tulipani shqiptar shpallet “monument natyre”

TIRANË, 13 mars/ATSH/ Qeveria shqiptare shpalli sot “monument natyre” një specie të veçantë që bën pjesë në speciet e rrezikuara, që quhet “Tulipani shqiptar” (Tulipa albanica).

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot pas mbledhjes së qeverisë se, “tulipani shqiptar është zbuluar në 2003 nga shkencëtarët e biodiversitetit dhe të biologjisë”.

“Tulipani shqiptar rritet në një lëndinë të caktuar prej 35 ha në fshatin Surroj në bashkinë e Kukësit. Me shpalljen “monument natyre”, kjo zonë merr këtë tipologji mbrojtje. Duhet të theksojmë që kjo specie e veçantë është në listën e kuqe ndërkombëtare, që janë speciet më të rrezikuara”, theksoi Kumbaro.

“Tulipa albanica” është një lloj tulipani endemik që rritet vetëm në Republikën e Shqipërisë, në qarkun e Kukësit.

Tulipani shqiptar ngjan me tulipanin e Sardenjës “Tulipa scardica” dhe me “Tulipa schrenkii”, por dallon nga to pasi ka gjethe me valëzim si dhe është i ndryshëm nga ana gjenetike.

Zbuluesit e kësaj specie janë prof as. dr. Lulëzim Shuka, pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, në bashkëpunim me prof. Kit Tan, pedagoge në Institutin e Biologjisë në Universitetin e Kopenhagenit, Danimarkë.

Në botë deri tani njiheshin rreth 113 lloje tulipanësh, ndërsa tulipani i Kukësit renditet i 114.

/k.s/ /gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Islami në Europë”, ligjërata akademike në Akademinë e Shkencave
Artikulli tjetërKushi: Shkollat e arsimit special do të transformohen në qendra burimore