Ballina Flash

Kushi: Shkollat e arsimit special do të transformohen në qendra burimore

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për sistemin arsimor parauniversitar.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, pas mbledhjes së qeverisë tha në një prononcim për mediet se, “nisma për të ndërhyrë në këtë ligj erdhi, jo vetëm për shkak të objektivit tonë madhor për një sistem më cilësor dhe për të reflektuar Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2026, por edhe si një nevojë emergjente për të ndërhyrë dhe për t’i dhënë zgjidhje disa problematikave që janë shfaqur në institucionet tona arsimore. Për këtë arsye ne vitin e kaluar kemi zhvilluar një proces shumë të gjerë konsultimi me të gjithë aktorët dhe sugjerimet e tyre ne i kemi reflektuar në këtë ligj, sigurisht sugjerimet që ishin më me vlerë”.

Kushi tha se, “ky ligj në radhë të parë ofron më shumë mbështetje për nxënësit me aftësi ndryshe. Shkollat e arsimit special me këtë ligj do të transformohen në qendra burimore sipas modeleve më të mira që kemi në rajon, por edhe në BE, për t’i ofruar më shumë shërbime këtyre nxënësve, për të nxitur më shumë trajnimin dhe kualifikimin e mësuesve dhe punonjësve të këtyre nxënësve. Paralelisht me ligjin ne kemi punuar dhe me aktet nënligjore që do të realizojnë transformimin e këtyre shkollave. Do të fillojmë me Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë dhe Institutin e nxënësve që nuk Shikojnë dhe më pas edhe me 7 shkollat e tjera të arsimit special”.

Ministrja shtoi se, “ky ligj ofron më shumë siguri për nxënësit duke mos lejuar që në institucionet tona arsimore të punësohen persona që kanë precedent penal. Një tjetër ndryshim që është kërkuar shumë nga prindërit ka qenë regjistrimi i nxënësve dhe para se të mbushin moshën 6 vjeç në klasë të parë, me kushtin që deri më datën 31 dhjetor të atij viti të mbushin 6 vjeç. Kjo nuk është e detyrueshme, por është vetëm për ato raste kur prindërit e kërkojnë”.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTulipani shqiptar shpallet “monument natyre”
Artikulli tjetërBRUKSEL – KE: Përgëzojmë Shqipërinë për angazhimin për reformën në drejtësi, dënojmë konfrontimin politik