TIRANË, 7 mars/ATSH/ Teatri Kombëtar i Kosovës për katër netë rresht do të performojë në Tiranë, në skenën e ArTurbinës. Aktorët nga Kosova do t’i sjellin artdashësve të Tiranës, shfaqjet “Gratë”, “Molly”, “Fausti” dhe “Club Albania”.
“Një eksperiencë që nuk duhet humbur”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në një postim në rrjetet sociale duke ftuar për të ndjekur shfaqjet që nisin nga dita e nesërme, 8 e deri më 11 mars.
Teatri Kombëtar i Kosovës, prej kohësh organizon shfaqje jashtë Prishtinës dhe me fokus kryeqendrat shqipfolëse të rajonit. Përpara se të vinin drejt Tiranës, artistët kosovarë ishin në Shkup. Të njëjtat shfaqje u vunë në skenën e “Teatrit Shqiptar” në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, nga data 21-24 shkurt.
/r.e/





























