Ballina Aktualitet

Berisha: PD është vetëm një, është ajo e anëtarësisë

TIRANË, 6 mars/ATSH – I. Vata/ Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar sot në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën dhe logon e kësaj partie.

Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se nuk ka fraksion, pasi PD është një dhe vetëm një, është ajo e anëtarësisë.

“Pengjet janë pengje. Zbatojnë vetëm urdhra të pengmarrësit. Nuk ekziston fraksioni. Ekziston fraksioni i pengjeve të Edi Ramës, që përbëhet nga dy persona: Lul Brava dhe AliBasha. PD është një dhe vetëm një, është ajo e anëtarësisë, është ajo që ka mbështetjen masive te qytetarët shqiptarët, është ajo që ka vendimin e gjykatës së faktit për regjistrimin dhe nuk mund të goditet me asnjë mjet tjetër. Do jenë të mjerë ata që do vazhdojnë si donkishotër betejën me ketë forcë që ka për frymëzim lirinë”, tha Berisha.

Po ashtu, Berisha tha se PD përmes forumeve të saj, u dha përgjigje më të vendosur dhe më shkatërrimtare projekteve të Edi Ramës.

“Në vlerësimin tim, PD përmes forumeve të saj, u dha përgjigje më të vendosur dhe më shkatërrimtare projekteve të Edi Ramës, të asistuara në kundërshtim flagrant me ligj dhe normë nga guvernatorja Yuri Kim, për qëllime personale, të cilat synonin largimin e PD nga zgjedhjet me moton e përbashkët: Edi Rama-McGonigal-McGonigal me fustan, për shkatërrimin e kësaj partie. Gjykoj dhe vlerësoj se përballë këtyre akteve primitive hakmarrëse, antidemokratike, forumet e partisë reaguan në mënyrën më të vendosur, reaguan në mënyrën më demokratike dhe më kushtetuese.Në radhët e anëtarësisë së PD, drejtuesve të saj në qendër dhe bazë, shtabeve elektorale të kandidatëve tanë, ka një gjallërim të paparë”, tha Berisha.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTatimet: Rritet numri i të punësuarve të deklaruar në listëpagesa
Artikulli tjetërShqipëria dhe Mali i Zi, memorandum bashkëpunimi për linjat e interkonjeksionit