LONDER, 5 mars /ATSH/ – Meghan Markle dhe princi Harry janë ftuar në kurorëzimin e mbretit Charles III dhe kjo është zbuluar sot, pavarësisht se ata kanë publikuar një varg kujtimesh jo shumë të këndshme rreth jetës së përditshme të familjes mbretërore britanike, sipas ”The Sun”.
Duka dhe dukesha e Sussexit kanë dhënë intervista shpërthyese për familjen mbretërore, në marrëveshje me Netflix, intervista televizive dhe podkaste në dy vitet e fundit që nga largimi i tyre nga familja.
Dhe ndërsa intervistat e tyre kanë tensionuar marrëdhëniet me familjen mbretërore, një zëdhënës i çiftit tani ka zbuluar se ata kanë qenë të ftuar në kurorëzimin e mbretit Charles III.
Mbrëmë, një zëdhënës konfirmoi se ”Harry ka marrë së fundmi një e-mail nga zyra e Madhërisë së Tij në lidhje me kurorëzimin”.
“Një vendim i menjëhershëm nëse duka dhe dukesha do të marrin pjesë nuk do të zbulohet tani për tani”, theksoi ajo.
Kurorëzimi i mbretit do të bëhet më 6 maj, në të njëjtën ditë me ditëlindjen e djalit të tyre, Archie.
Pjesëmarrja e Harryt dhe Meghanit ka qenë në pikëpyetje që kur duka kritikoi familjen mbretërore në kujtimet e tij.
Edhe dje, princi Harry nisi një sulm të ri ndaj babait të tij.
Në intervistën e tij të parë që nga dëbimi i tij nga familja mbretërore, duka, 38 vjeç, kritikoi fëmijërinë e tij “tepër të dhimbshme”, ku u ankua se i mungonin përqafimet dhe vëmendja./ a.jor.























