TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Universiteti i Mjekësisë Tiranë, po thellon bashkëpunimin me Universitetin “G. D’Annuzio” të Chietti-Pescara, me synim shkëmbimin e përvojave dhe zgjerimin e programeve të edukimit për studentët e Mjekësisë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bashkë me ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ishin në Universitetin “G. D’Annuzio” të Chietti-Pescara për të konkretizuar këtë bashkëpunim mes dy institucioneve të rëndësishme arsimore.
“Rinovojmë marrëveshjet për programet master në fushën e dentistrisë me UMT dhe nisim punën e përbashkët për hapjen e programeve të reja të studimit në fushën e shkencave biomjekësore”, u shpreh Manastirliu, teksa theksoi se, ky bashkëpunim i shërben fuqizimit edhe më shumë të partneritetin ndëruniversitar, me synim rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor.
Gjithashtu edhe ministrja Kushi, e cilësoi bashkëpunimin me Universitetin “Gabrielle D’Annunzio” si një prej partnerëve më të mirë të universiteteve shqiptare në procesin e ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë.
“Në këtë drejtim, kemi tashmë të hapura 2 programe të përbashkëta të studimit Master në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, të cilat janë mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për gjithë infrastrukturën e nevojshme në zhvillimin e tyre”, tha Kushi.
Kushi u shpreh optimiste, pasi, siç tha ajo, “me këtë universitet kemi në proces aktivizimi 2 programe të tjera të përbashkëta Master me Universitetin e Sporteve të Tiranës”.
/r.e/















