TIRANË, 27 shkurt/ATSH – I. Vata/ Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo deklaroi sot se 3 marsi është ftesë edhe për shqiptarët e mërgatës në Itali e Greqi.
Në një konferencë për mediet, Garo tha se premtimi për votën e diasporës nuk është më shumë se një gënjeshtër në radhën e shumë të tillave, që Rama thërriste poshtë e lart nëpër Shqipëri në vitin 2013.
“3 marsi është një ftesë edhe për shqiptarët e mërgatës sonë në Itali e Greqi, por sidomos për familjarët e tyre që të mbushin sheshin dhe t’ia thonë dy fjalë regjimit që shpërngul shqiptarët”, tha ajo.
Po ashtu Garo shtoi se “1 miliard euro, ose 6.7 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, vjen nga dërgesat e diasporës shqiptare, shkruhet në raportin e fundit të Eurostat”.
“Këto të dhëna faktojnë kontributin e jashtëzakonshëm të emigracionit shqiptar në ekonominë e familjeve shqiptare dhe për këtë, ata meritojnë mirënjohje të pakufishme. Por nga ana tjetër ky lajm, së pari, na tregon se Shqipëria nuk e mban në atdhe popullin e vet, dhe kjo vjen prej politikave të dështuara qeveritare, dhe jo se shqiptarët nuk e duan vendin e tyre”, tha ajo.
/r.e/























