NJU JORK, 21 shkurt /ATSH-DPA/ – SHBA i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të dënojë vargun e fundit të testeve raketore të kryera nga Koreja e Veriut.
“Ne i bëjmë thirrje secilit anëtar të këtij Këshilli që të bashkohet me ne për të dënuar me forcë aktivitetet e paligjshme të Phenianit dhe ta nxisë atë të angazhohet në rrugën diplomatike”, tha Linda Thomas-Greenfield, ambasadorja e SHBA në OKB, gjatë një konferencë të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork.
Kërkesa e saj erdhi pasi Pheniani të hënën lëshoi dy raketa balistike të dyshuara me rreze të shkurtër veprimi drejt Detit Lindor, siç njihet edhe Deti i Japonisë.
Nisja erdhi dy ditë pasi Pheniani lëshoi atë që tha se ishte një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM) të shtunën.
Rezolutat e OKB-së e ndalojnë Korenë e Veriut të testojë raketa balistike të çdo rrezeje, të cilat – në varësi të dizajnit të tyre – mund të pajisen edhe me një kokë bërthamore.
Do të ishte testi i parë i një rakete të tillë në më shumë se një muaj.
Japonia ka kërkuar tashmë një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me lëshimet.
SHBA-ja nuk arriti të siguronte një rezolutë që përcaktonte sanksione më të ashpra ndërkombëtare për Korenë e Veriut përmes Këshillit të Sigurimit majin e kaluar, për shkak të vetos nga Rusia dhe Kina.
Thomas-Greenfield tha se shkelja e vazhdueshme e Phenianit të rezolutës së Këshillit të Sigurimit kërkon një përgjigje.
“Ne jemi të ngarkuar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, tha ajo.
Pheniani ka akuzuar vazhdimisht Uashingtonin se ka ndihmuar fqinjin e tij për t’u përgatitur për një sulm, një pretendim që SHBA dhe Koreja e Jugut e hedhin poshtë./ a.jor.












