MYNIH, 17 shkurt /ATSH-DPA/ – Konferenca e Sigurisë së Mynihut nisi sot me një fjalim hapës video të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky si dhe me prezantimet e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron.
Takimi vjetor i nivelit të lartë, i cili zhvillohet në Bavari dhe diskuton shqetësimet kryesore të mbrojtjes, po pret përfaqësues nga 96 vende të ndryshme.
Fokusi kryesor i konferencës këtë vit është lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, e cila po i afrohet përvjetorit të parë më 24 shkurt.
Për herë të parë në mbi 20 vjet, lidershipi rus nuk është ftuar.
Christoph Heusgen, ish-këshilltar për politikën e jashtme i ish-kancelares gjermane Angela Merkel, po kryeson konferencën për herë të parë këtë vit.
Ai e arsyetoi vendimin e tij për të mos ftuar delegacionin rus duke thënë se nuk dëshiron t’i japë presidentit rus Vladimir Putin dhe qeverisë së tij një forum për propagandën e tyre.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, liderët iranianë dhe përfaqësuesit e partisë së ekstremit të djathtë të ”Alternativës për Gjermaninë” janë përjashtuar gjithashtu nga konferenca.
Pjesëmarrësit përfshijnë 40 krerë shtetesh dhe qeverish dhe pothuajse 100 ministra.
Folësit e tjerë të profilit të lartë të premten përfshijnë zyrtarin më të lartë të politikës së jashtme të Kinës, Wang Yi dhe zëvendëspresidenten e SHBA Kamala Harris.
Aktualisht ka tensione të larta midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, pasi SHBA rrëzoi një balonë kineze mbi hapësirën ajrore të SHBA javën e kaluar.
Scholz gjithashtu do të flasë me Macron për konfliktin Serbi-Kosovë.
Më vonë, të dy janë planifikuar të takohen me presidentin polak Andrzej Duda, në një format diskutimi 30-vjeçar të njohur si ”Trekëndëshi i Vajmarit”./ a.jor.





















