LONDËR, 17 shkurt /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik, Rishi Sunak u takua dje me presidentin polak, Andrzej Duda në Downing Street, ku biseduan për sigurinë evropiane dhe mbështetjen për Ukrainën.
Vizita vjen pasi ministrat e Mbrojtjes të NATO-s u takuan në Bruksel, në fillim të kësaj jave dhe përpara Konferencës së Sigurisë së Mynihut, këtë fundjavë.
Duda, gjithashtu do të takohet me Joe Biden në fund të këtij muaji gjatë vizitës së tij zyrtare në Poloni.
Takimi vjen mes thirrjeve të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për t’i ofruar vendit të tij avionë luftarakë, për të cilën Downing Street ka thënë se nevojitet një marrëveshje me aleatët ndërkombëtarë.
Britania e Madhe dhe Polonia janë zotuar t’i ofrojnë Ukrainës tanke, por kur bëhet fjalë për avionët, ka pasur një hezitim të madh.
“Është kënaqësi t’ju mirëpres këtu në BM, në Londër, dhe të përdorim si bazë për zhvillim të mëtejshëm, miqësinë dhe partneritetin tonë. Ne jemi të bashkuar në mbështetjen tonë të vendosur për Ukrainën”, tha Sunak.
“Jam gjithashtu i kënaqur që kohët e fundit ishim në gjendje të njoftonim shtrirjen e sistemit tonë të mbrojtjes ajrore “Sky Saber” në Poloni, duke treguar përkushtimin tonë për sigurinë e vendit evropian”, tha ai.
Vitin e kaluar, Britania e Madhe vendosi një sistem raketash me rreze të mesme dhe personel në Poloni për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore nga çdo agresion i mëtejshëm nga Rusia.
Sunak tha se përveç çështjeve të mbrojtjes, ai diskutoi partneritetin e madh midis dy vendeve në tregti, në sigurinë energjetike dhe thellimin e miqësisë mes BM dhe Polonisë.
Sipas Downing Street, të dy udhëheqësit ranë dakord se ishte e rëndësishme që mbështetja për Ukrainën të përshpejtohej në javët e ardhshme. //a.i/.























