TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku ka ngritur lart vendimin e karateistëve kosovarë për të mos garuar pa flamurin kosovar.
“Këta karateistë të talentuar e vendosën shtetin dhe flamurin e tyre para suksesit personal. Ata e mbrojtën Republikën e Kosovës në Qipro duke refuzuar të garojnë pa flamur në Kampionatin europian të karatesë U21. Vajza e djem që ndonëse nuk arritën të garojnë e të fitojnë medalje europiane, u bënë heronj të zemrave tona”, shkruan ministri Çeku, në rrjetet sociale.
Më tej ministri kosovar i Kulturës, Rinisë e Sportit, ka deklaruar se, veprimi i shtetit mikpritës, Qipros, është i turpshëm, dhe se Kosova do të bëjë gjithçka që ai të mos kalojë pa pasoja.
Sportistët e rinj, pas kthimit në atdhe, janë vizituar nga ministri dhe zëvendës/ministrja Daulina Osmani, të cilët i kanë falënderuar për qëndrimin e tyre me dinjitet.
“Këta karateistë meritojnë respektin e gjithë qytetarëve të Kosovës. E ardhmja dhe sukseset ndërkombëtare u takojnë atyre”, shkroi ministri Çeku.
Vitet e fundit Kosova ka regjistruar një sërë fitoresh të rëndësishme në nivel ndërkombëtar, sa i takon sportit të karatesë, e sidomos fitore që vijnë nga sportiste femra.




































