TIRANË, 31 janar /ATSH/ Në komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin pati sot debate lidhur me propozimin e deputetes së PD-së, Jorida Tabaku për disa shtesa në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
Tabaku tha se, “përmes këtij propozimi jemi përpjekur të sjellim një paketë ndryshimesh të cilat janë të rëndësishme duke pasur parasysh edhe zbatimin e ligjit aktual. Ligji aktual është një nga ligjet që është përafruar shumë mirë me BE-në, por hapësirat në ligj bëjnë që zbatimi i tij të jetë me probleme. Ndaj ndryshimet që propozojmë bashkë me një grup ekspertësh të PD-së, lidhen me adresimin e përgjegjësisë personale që ka çdo punonjës që firmos, për t’u përgjigjur përpara ligjit në një prokurim publik”.
Gjithashtu, tha ajo, një element tjetër që mungon në procedurën e kontratave publike është pasaporta e prokurimit publik.
“Të gjitha vendet e BE-së kanë standarde të pasaportës së prokurimit publik, që përfshin pikat nga momenti i ideiimit të projektit e deri në zbatimin e tij. Unë kam mbi dy vite që shkruaj shkresa për aeroportin e Kukësit, Rrugën e Arbrit, aeroportin e Vlorës për të marrë informacione dhe asnjëherë nuk marr përgjigje. Standartd i BE-së është që i gjithë dokumentacioni i koncesionit PPP duhet të jetë publik. Duhet ta dimë sesi kanë komunikuar drejtuesit e shtetit për këtë koncesion dhe me kë kanë komunikuar”, theksoi Tabaku.
Tabaku solli në vëmendje se elementi i tretë lidhet me llogaridhënien. “Sot nëse një kompani ka shkelje të kushteve të kontratës ajo vazhdon të paguhet. Ne propozojmë që në rastet kur kompania nuk përmbush kushtet e kontratës, kontrata ndërpritet menjëherë”, theksoi Tabaku.
“Përmes kësaj pakete ligjore synojmë rritjen e transparancës gjatë dhënies së kontratave koncesionare dhe PPP-ve, me qëllim që të shmangen rastet abuzive dhe kostot që rëndojnë mbi buxhetin e shtetit”, deklaroi Tabaku.
Në fokus të ndryshimeve janë vendosur transparenca me publikun dhe detyrimi i Agjencisë se Trajtimit te Koncesioneve si institucioni përgjegjës për Regjistrin e koncesioneve/ppp që të publikojë një listë të përcaktuar dokumentash, parandalimi i dhënies me koncesion apo PPP të fondeve publike ndaj qytetareve te dënuar apo ndëshkuar për një set veprash penale ku përfshihen përveç te tjerash, korrupsioni, mashtrimi dhe pastrimi i parave.
Pas diskutimeve, komenteve dhe sugjerimeve të ndryshme, kryetari i komisionit e hodhi projektligjin në votim, i cili nuk arriti të miratohej me votat e nevojshme.
/j.p/























