Ballina Flash

Memorandum bashkëpunimi mes ILD dhe Universitetit të Vlorës

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Ndërgjegjësimi i publikut dhe rritja e transparencës mbi misionin, kompetencat dhe përgjegjësitë e Zyrës së ILD-së, si një dimension i rëndësishëm pune, u materializuan përmes një memorandumi bashkëpunimi të nënshkruar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani dhe Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, Roland Zisi.

Memorandumi parashikon disa mënyra bashkëpunimi, që nga leksionet e hapura, tek projektet e përbashkëta që kanë në fokus edukimin ligjor dhe profesional, e deri tek mundësia që studentët e Departamentit të Drejtësisë të zhvillojnë praktikën pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani tha se, institucioni që drejton ka të gjithë vëmendjen për të mbështetur rritjen profesionale të brezit të ri të profesionistëve të drejtësisë, si një kontribut konkret për demokratizimin e shoqërisë e konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Nga ana e tij, rektori Roland Zisi vlerësoi bashkëpunimin e vendosur me Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si një mënyrë konkrete për shfrytëzimin e kapaciteteve të përbashkëta në mbështetje të programeve edukuese që i shërbejnë komunitetit të studentëve.

Bashkëpunimi konkret me fakultetet e drejtësisë së universiteteve është një synim i bërë publik nga  Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që do vijojë edhe në universitete të tjera të vendit.

/gj.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalla: Shqipëria, hapa përpara në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE
Artikulli tjetërPolicia konfiskon 5 ambiente dhe 4710 m2 tokë në Elbasan dhe Pogradec