Ballina Ekonomi

Glikotë e Përmetit, traditë dhe biznes fitimprurës

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Përmeti njihet si qyteti i trëndafilave, i verës, por veçanërisht është i famshëm edhe për glikotë e veçanta, të cilat banorët e kanë pagëzuar edhe me emrin “mbretëresha” e zonës së tyre.

Mikpritës i vizitorëve në çdo stinë të vitit, Përmeti nuk mund t’i lërë vizitorët të largohen pa i provuar glikotë e shumëllojshme të gatuara nga amvisat përmetare.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, ndau sot shembullin e Entelës, 45 vjeçares nga Përmeti që me shumë përkushtim dhe dashuri, përgatit gliko të llojeve të ndryshme duke i bërë ato ndër produktet më shijshme dhe të veçanta të zonë.

Ministrja Krifca publikoi në rrjetet sociale foto nga kjo sipërmarrje teksa shkroi “traditën përmetare të glikosë, Entela e ka kthyer në biznes”.

“Unë punoj në punishten DI-Pro-Bio. Zanatin për përgatitjen e glikove ma ka mësuar vjehrra. Ky ambient që sot e kemi kthyer në dyqan shitje dhe përpunimi të glikosë, ka qenë baxho më përpara. Prodhojmë trahana por kryesisht, gliko të frutave të ndryshme”, u shpreh Entela.

Sipas saj, glikoja e arrës është një ndër produktet më të kërkuara nga konsumatorët dhe turistët e huaj. Përgatitja e saj është traditë e vjetër në Përmet dhe ka një vend shumë të veçantë në rastet e festave të në ndryshme familjare.

Entela tregon se, në punishten e saj prodhohen produkte në mënyrë tradicionale, ashtu siç bëheshin më parë, duke ruajtur shijen e veçantë dhe cilësinë e prodhimit, me qëllimin që këto prodhime të kthehen në markë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka në fokus të veçantë mbështetjen e sipërmarrjeve në industrinë e përpunimit të ushqimeve. Përmes politikave të programeve të ndryshme mbështetëse, MBZHR po i nxit këto sipërmarrje, veçanërisht ato që drejtohen nga gra, të kooperojnë mes tyre dhe të mund të përfitojnë nga fondet e mbështetjes për teknologji dhe mjete përpunimi bashkëkohore që rrisin cilësinë dhe standardet, një nga kushtet kryesore për tregun vendas dhe eksporte.

/gj.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPolicia çmonton 47 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin
Artikulli tjetërMurati: Rritja e çmimit të tatimit në pronë ishte parashikuar me ligj