TIRANË, 27 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 31-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Izrael.
Në fjalën e tij, Balla tha se, takimi i sotëm përmbyll më së miri një sërë takimesh të organizuara në kuadër të Javës së Izraelit, duke filluar me Konferencën Akademike të datës 25 Janar, për të vijuar me Seancën e Jashtëzakonshme Plenare dhe mbrëmjen gala kushtuar përkujtimit të Holokaustit.
“Morali i politikës botërore është ndërtuar mbi vlerat e antifashizmit për më shumë se shtatë dekada dhe shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri është një nga shprehjet më kuptimplota të antifashizmit të popullit tonë”, tha Balla.
Sipas tij, historia në fakt është domethënëse për të kuptuar ngjarjet e të tashmes dhe për të mundësuar që kapitujt më të errët të saj të mos përsëriten.
“Dhuna kundër hebrenjve dhe antisemitizmi si fenomen mund të çojë në akte të tjera dhune ndaj pakicave etnike, apo mbi baza fetare, krahinore etj. Kjo është arsyeja që si deputet, kam qenë iniciatori i një rezolute për dezinformimin dhe mbështes fuqimisht mekanizmat ligjorë për të kufizuar përhapjen e të gjitha formave të gjuhës së urrejtjes në media, i bindur se gjuha e urrejtjes nuk mund të mbrohet nën parimin e ‘fjalës së lirë'”, shtoi ai.
Duke folur për 31-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Balla tha se pas hapjes së përfaqësive respektive në vitin 1991, marrëdhëniet dypalëshe njohën një dinamikë të re në fushat politike, ekonomike, kulturore dhe shkencore.
“Vizitat dhe kontaktet e nivelit të lartë ndër vite kanë qenë një tregues i lartë i vullnetit politik për një bashkëpunim më të ngushtë në të gjitha fushat. Por pavarësisht miqësisë historike midis dy popujve tanë, marrëdhëniet në shumë fusha nuk janë në nivelin e miqësisë së dy vendeve tona. Edhe pse vërehen tendenca pozitive në bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve tona dhe një rritje të interesit të bizneseve dhe investimeve izraelite për tregun shqiptar, padyshim ato nuk janë nivelin e duhur dhe nuk kanë arritur të shtrihen edhe në sektorë të tjerë vitalë si turizmi, bujqësia apo energjia”, tha ai.
Balla vlerësoi praninë në këtë takim, të përfaqësuesve nga biznesi dhe bota akademike, të cilët kanë një rol parësor në vendosjen e urave lidhëse edhe në sektorë ku mungojnë.
/m.m/ /gj.m/












