Ballina Aktualitet

Greqia mbështet rrugëtimin evropian të Shqipërisë

TIRANË, 25 janar/ATSH – I. Vata/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti sot ambasadoren e re të Greqisë, Konstantina Kamitsi.

Nikolla i shprehu ambasadores Kamitsi urimet më të mira për detyrën e saj në Shqipëri, si edhe besimin se, gjatë këtij misioni do të kontribuojë në avancimin e bashkëpunimit dypalësh.

“Bashkëpunimi i shkëlqyer politik dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Greqisë frymëzohet nga fryma e fqinjësisë së mirë, interesat e përbashkëta strategjike, partneriteti në NATO dhe perspektiva e përbashkët evropiane. Emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri shërbejnë si ura miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve. Ne i jemi mirënjohës Greqisë për mbështetjen e vendosur të për integrimin evropian të Shqipërisë dhe suksesin e negociatave të anëtarësimit. Bashkëpunimi shumë i mirë mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Greqisë nxit bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe i shërben miqësisë mes popujve tanë”, tha Nikolla.

Ambasadorja Konstantina Kamitsi shprehu mirënjohjen për vlerësimin e bashkëpunimit dypalësh dhe nënvizoi se do të punojë për avancimin e këtij bashkëpunimi.

“Greqia do të vijojë të mbështesë rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe do të nxisë rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve greke në Shqipëri, pas kapërcimit të krizës së dekadës së fundit”, theksoi ajo.

/gj.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Stoltenberg: Anëtarët e NATO-s të rrisin shpenzimet ushtarake me të paktën 2% të PPB-së
Artikulli tjetërFOKUS – Tajani: Po punojmë për të ulur në një tryezë rusët dhe ukrainasit