TIRANË, 24 janar/ATSH/ Programi i kodimit, hartimi i të cilit përbën një ndër arritjet e vitit 2022, çeli aplikimet për të gjithë të rinjtë e apasionuar pas teknologjisë së informacionit.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se, programi i ri i Kodimit, i cili është çelur nga qeveria shqiptare, është si një derë e re e së ardhmes për të rinjtë.
Për të gjithë të rinjtë e interesuar të ndjekin kurset profesionale në fushën e teknologjisë së informacionit ofrohet tashmë mundësia të aplikojnë për të përfituar subvencionim nga qeveria shqiptare në kursin profesional në të cilin duan të specializohen, nëpërmjet shërbimit “Aplikim për kursin e Formimit Profesional me mbështetje financiare” në e-Albania.
Përtej subvencionimit, ky program do të ofrojë dhe ndërlidhje me tregun e punës, për të thjeshtëzuar bashkëveprimin mes profilizimit të të rinjve e tregut të punës si dhe për të mundësuar oferta punësimi për të rinjtë me paga të krahasueshme me tregun ndërkombëtar, menjëherë pas përfundimit të kursit.
Subvencionimi nga ana e qeverisë shkon deri në 50 % të kostos, ndërsa për disa kategori më vulnerabël shkon deri në 100%.
/gj.m/












