TIRANË, 21 janar/ATSH/- Drejtoria Vendore e Policisë Korçë njoftoi sot se disa zona të qarkut të Korçës gjatë natës janë përfshirë nga reshje dëbore.
Nisur nga situata, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, bëjnë apel për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të rrisin kujdesin në rrugë, të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të moderojnë shpejtësinë.
Policia njofton se aktualisht, aksi rrugor “Korçë-Dardhë” është i kalueshëm me zinxhirë, pasi vijojnë reshje e dëborës.
Borëpastrueset vijojnë punën për ta pastruar plotësisht rrugën, ndërsa në akset e tjera rrugore lëvizja kryhet pa probleme.
Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe për t’u ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës, për shkak të kushteve atmosferike, në akset rrugore të qarkut Korçë është shtuar prezenca e punonjësve të Policisë Rrugore.
Shërbimet e Policisë janë në gatishmëri për të ndihmuar çdo qytetarë të cilët mund të telefonojnë në numrat 112 dhe 129 për çdo rast nevoje apo problematike të hasur.
























