DAVOS, 18 janar /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, ka shprehur rezerva për dërgimin e mundshëm të tankeve luftarake “Leopard” në Ukrainë.
“Kjo mundësi nuk është në tryezën e diskutimeve për momentin”, deklaroi sot Albares në Samitin Ekonomik Botëror, në Davos, njoftoi agjencia spanjolle e lajmeve “Europa Press”.
Megjithatë ai nuk përjashtoi mundësinë e një dërgese, në një datë të mëvonshme duke iu referuar takimit në bazën ajrore amerikane “Ramstein” në Gjermani të premten.
“Spanja preferon të marrë vendime të tilla “së bashku dhe të bashkuar”, theksoi Albares.
“Qëndrimi i Spanjës në këtë luftë, është të bëjë atë që ne mendojmë se është më e mira, në çdo fazë, për të ndihmuar ukrainasit të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial, dhe të sjellin paqen në vend sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ministri.
Në qershor, Spanja shqyrtoi dorëzimin e “Leopard” të tipit më të vjetër 2 A4. Pesëdhjetë e tre nga këto tanke janë goditur në një objekt në Zaragoza që nga viti 2012.
Pas disa javësh spekulimesh lidhur me dërgesat, ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles tha në gusht se tanket ishin në gjendje absolutisht të rrënuar, dhe se nuk ishte e mundur të riparoheshin. Kjo shkaktoi habi në qarqet ushtarake. //a.i/













