Ballina Flash

“Infermierë për Shqipërinë”, 380 të punësuar gjatë 2022-shit

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Infermierë dhe profesionistë të shkencave mjekësore teknike janë punësuar me meritë nga viti 2019, kur u hap portali “Infermierë për Shqipërinë”.

Gjatë vitit që lamë pas janë punësuar 380 infermierë nga jugu në veri nëpërmjet këtij portali duke u bërë pjesë e sistemit shëndetësor publik.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një status në rrjetet sociale ku shprehet se, “380 infermierë janë punësuar në qendrat shëndetësore nga veriu në jug, pjesë e ekipit prej rreth 900 infermierësh të punësuar në sistemin shëndetësor publik vetëm gjatë vitit 2022”.

Platforma “Infermierë për Shqipërinë” e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS) ofron mundësi reale punësimi për të gjithë infermierët që kanë përfunduar studimet e larta apo janë kualifikuar më tej në këtë fushë për të kontribuar në shëndetin e komunitetit.

Kjo platformë garanton një proces rekrutimi të udhëhequr nga parimet e transparencës, meritës, profesionalizmit dhe barazisë në funksion të ofrimit të një shërbimi cilësor infermieror në të tre nivelet e kujdesit shëndetësor.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përmes realizimit të kësaj nisme krijon një standard të ri dhe kulturë të re në menaxhimin e burimeve njerëzore në shëndetësi përmes një procesi rekrutimi të hapur, transparent dhe kompetitiv.

Konkursi për të aplikuar në këtë platformë çelet disa herë në vit.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAkademikët e Shqipërisë dhe Kosovës nisin punën për hartimin e Enciklopedisë shqiptare
Artikulli tjetërReshjet e borës, ARRSH: Problematike situata në akset rrugore Bogë-Theth dhe Qafë Thore