Ballina Flash

Mbërrin dëbora e shumëpritur në Malin e Tomorit, ftesë për vizitorët

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Mali i Tomorit u mbulua ditët e fundit nga reshjet e dëborës, duke ofruar një peizazh mbresëlënës për të pasionuarit pas alpinizmit.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky mal, duke i bërë apel turistëve ta vizitojnë atë.

“Dëbora e shumëpritur mbërriti në Parkun Kombëtar Mali i Tomorit. Tashmë, sezoni i turizmit dimëror do të nisë të tërheq turistët e tij. Ejani të shijoni bukurinë e bardhësisë së dëborës në pyjet dhe shpatet e malit të Tomorit”, theksoi AKZM.

Parku Kombëtar i Tomorit, vitet e fundit është një nga parqet më të vizituara si nga vizitorë të huaj dhe ata vendas.

Mali i Tomorit shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe verilindje të qytetit të Çorovodës dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar. Aty nuk mungojnë ngjitjet sportive në shpatet me borë apo aventurierë të raftingut në kanionet e Osumit.

Nën këmbët e Tomorit, rrjedh lumi Osum që duke zbritur nga terrene tepër malore ka krijuar kanionet e famshme të tij tepër të vizituara, sidomos gjatë stinës së verës. Por, jo vetëm kanionet, në këtë itinerar gjenden dhe disa objekte kulti të feve kristiane e bektashiane dhe monumente të natyrës dhe të kulturës.

/k.s/jj.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakROMË – Tajani: Kërkojmë një moratorium të menjëhershëm të dënimit me vdekje në Iran
Artikulli tjetërKOMENT – Çfarë do të thotë për Shtëpinë e Bardhë gjetja e dokumenteve sekrete në zyrën e Bidenit?