Ballina Ekonomi

202 mijë shërbime konsullore në vitin 2022

TIRANË, 7 janar/ATSH-Maela Marini/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka informoi sot se gjatë vitit 2022 u ofruan 202 mijë shërbime konsullore për shtetasit shqiptarë jashtë vendit.

Në konferencën e sotme për mediet, Xhaçka theksoi se janë 700 mijë legalizime për dokumentet për përdorim jashtë vendit, ndërkohë që numri i shtetasve që janë pajisur me pasaportë dhe kartë identiteti nëpërmjet aplikimit në PDK është 90 mijë.

Po ashtu, ajo theksoi se përfundoi me sukses projekti “Ishujt” ne Greqi, nga i cili përfituan rreth 1000 shtetas.

“Është ofruar për herë të parë pajisja me dokumente biometrike në ambientet e vuajtjes së dënimit për shtetasit tanë në Greqi, prej të cilit kanë përfituar 36 shtetas, projekt i cili do të vijoje edhe më tej të zbatohet. Po ashtu, është zgjeruar harta e shteteve në të cilët ofrojmë pajisjen me dokumente biometrike edhe me përfaqësinë tonë në Otavë, Kanada”, tha ministrja.

Xhaçka informoi se i është dhënë rëndësi e veçantë të gjitha kërkesave të mbërritura nga  vendet e BE-së dhe Nju-Jorku, të shtetasve shqiptarë në kushte të vështira shëndetësore spitalore ose regjim shtrati në shtëpi, ndërsa kanë përfituar shërbimin 76 shtetas.

“Janë trajtuar nga e-visa 20,615 aplikime për vizë shqiptare nga shtetas të huaj”, informoi ajo.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDeklarata për zëvendësimin e ambasadores amerikane, Xhaçka: I vumë kapak aludimeve të shëmtuara
Artikulli tjetërPSIKOLOGJI – Rrjetet sociale ju shpëtojnë nga mërzia, por ju bllokojnë kreativitetin