Ballina Ekonomi

Balluku: 31 dhjetori, dita e testit për prodhimin e energjisë


TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/- Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar sot HEC-in e Vaut të Dejës për situatën energjetike në vend.

Balluku e konsideroi energjinë një sektor të rëndësishëm, i cili në vitin që po lëm pas ka pasur sukses.

“Kaskada e Drinit përgjatë vitit 2022, pavarësisht të gjitha vështirësive është menaxhuar në mënyrën më të mira dhe unë vendosa që ta mbyllja këtë ditë të fundvitit me stafet e hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit edhe për t’i uruar për punën e mirë që kanë bërë, por edhe për t’u dhënë zemër për çfarë na pret përpara”, u shpreh Balluku..

Drejtori i KESH, Ergys Verdho informoi se situata aktualisht paraqitet e qëndrueshme. “Prurjet në basenin e Fierzës janë në nivelin e 290 m2/sekond kuota në liqenin e Fierzës është 291.78 m. Jemi munduar ta mbajmë atë kuaotë pa lëvizuar duke menaxhuar prurjet natyrore. Kemi filluar të përdorim Komanin dhe Vaun e Dejës si hidrocentrale bazë dhe Fierzën e kemi lënë me 1 deri në 2 agregatë”, deklaroi ai.

Balluku vuri në dukje se gjatë dhjetorit është prodhuar energji duke mbuluar të gjitha kapacitetet dhe kërkesat e tregut vendas dhe nga ana tjetër është depozituar në KEK në Kosovë.

Gjithashtu, tha ministrja, kemi shitur me çmime optimale porsa i përket tregut të eksporteve.

Gjatë takimit me stafet e HEC-eve, Balluku u shpreh se: “Unë vendosa që ditën e fundit të vitit të vija t’ju takoja. Të ju falënderoja për punën e mirë që keni bërë në kushte të vështira, padyshim duke qenë se jemi përballur me thatësirën gjatë gjithë vitit, përveçse fundit të nëntorit që jemi bekuar me shiun dhe tashmë prodhojmë në të tre HEC-et duke mbuluar të gjitha kapacitetet dhe kërkesat e tregut. Të gjithë së bashku keni bërë një punë të mirë, një vit sfidues na pret, por ne tani sfidat nuk na trembin”.

Zv.kryeministrja deklaroi se datat 31 është data e testit energjetik, nga ana e prodhimit, e transmetimit dhe e shpërndarjes.

“Deri tani është përballuar me sukses nata e Krishtlindjeve se ka një kërkese të shtuar të energjisë. Megjithatë, piku i kërkesës për energji në të gjithë Shqipërinë është data 31, prandaj sot shpresojmë ta përballojmë me sukses pasi është bërë punë e mirë. Investimet pavarësisht se kanë qenë të kufizuara për shkak të pandemisë dhe më pas për shkak të krizës energjetike, ne kemi bërë maksimumin për të pasur gjithçka në parametrat e duhur”, theksoi Balluku.

Ministrja nënvizoi se gjatë vitit 2022 kemi arritur të ulim humbjet në rrjet me 1%, nga 20.7 kemi shkuar në 19.7.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVdes në moshën 95-vjeçare Papa emeritus Benedikti XVI
Artikulli tjetërKim uron shqiptarët për Vitin e Ri: 2022, vit i jashtëzakonshëm dhe 2023 do jetë edhe më i mirë