TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ 1200 efektivë këmbësorie do të përfitojnë 20 000 lekë (të reja) nga Pakoja e Madhe e mbështetjes për përballimin e inflacionit të luftës që ka miratuar Qeveria këtë fundviti.
Kryeministri Edi Rama theksoi sot se, “20 000 lekët (e reja) të Pakos së Madhe janë edhe një formë shpërblimi për efektivët e këmbësorisë, pavarësisht pagës së tyre të rritur ndjeshëm, sepse këta djem e vajza e nderuan këtë vit Ushtrinë Shqiptare, duke merituar certifikimin e lartë të NATO-s si një trupë ekselence e Aleancës”.
Pakoja e Madhe shkon në mbështetje të 1 milionë individëve me një kosto në buxhet prej 8 miliardë lekësh.
Ajo synon të lehtësojë ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit, duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje. /j.p/






















