TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në prag të festës së ndërrimit të viteve ka bërë një mesazh urimi për komunitetin e futbollit, ku ka folur për arritjet e mëdha të vitit 2022 si edhe për objektivat për 2023-shin.
Në mesazhin e tij, Presidenti Duka ndër të tjera përmend lançimin e strategjisë “Futbolli për Kombin”, finalen historike të UEFA Conference League në Tiranë, investimet e mëdha që FSHF ka realizuar në infrastrukturë, që nga stadiumi i ri Kukës Arena e me dhjetëra fusha të ndërtuara anembanë vendit. Gjithashtu, ai ka folur edhe për prioritetet e mëdha të FSHF-së që janë futbolli i vajzave dhe ai i fëmijëve, ndërkohë që premton se edhe në vitin 2023, FSHF do të japë mbështetje të madhe për ta zhvilluar sa më shumë futbollin.
“Unë personalisht, si president i Federatës, do t’i shpenzoja të gjitha energjitë e mia dhe stafit e komunitetit që përfaqësojmë në zhvillimin e futbollit, dhe këtë bëmë”, është shprehur kreu i FSHF-së.
Projektet “Uniforma Ime” dhe “Topi Yt” do të jenë aktive edhe në vitin që vjen, si një burim i sigurt suporti financiar për të gjithë fëmijët që do të luajnë futboll.
Federata Shqiptare e Futbollit organizon 571 ndeshje në javë në të gjitha kategoritë. Janë me qindra futbollistë profesionistë, dhe po ashtu qindra arbitra në të gjitha nivelet që suportohen financiarisht nga Federata.
“Falënderoj me zemër këdo që merr kohë dhe mendon për lojën e bukur të futbollit, qofshin këta profesionistët e fushës, apo edhe tifozët e tribunave”, tha Duka, duke uruar për një vit të mbarë e të shëndetshëm për të gjithë.




















