Ballina Ekonomi

Krifca: 180 milionë lekë për 771 fermerë që prodhojnë në serra

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH – I. Vata/- Skemat e subvencionit në bujqësi dhe programi IPARD, janë një fakt konkret i rritjes dhe zhvillimit të bujqësisë, në mbështetjen që i adresojnë fermerëve dhe sipërmarrjeve që operojnë në këtë sektor.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural nëpërmjet politikës së re të bashkimit të fermerëve ka financuar me 180 milionë lekë, 771 fermerë që prodhojnë në serra, perime, luleshtrydhe dhe vresht.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi se me politikën e re orientuese bashkimi dhe financimi do mbështesim fermerët për vitin 2023.

“Politika e re që prezantuam këtë vit për mbështetjen me inpute në serra konsolidon bashkimin e fermerëve të vegjël. Vetëm përmes kësaj mase, janë financuar me 180 milionë lekë, 771 fermerë që prodhojnë në serra, perime, luleshtrydhe dhe vresht. 162 prej tyre janë grupime fermerësh të vegjël që janë orientuar përmes kësaj politike, të bashkëpunojnë e të bashkëveprojnë me interes ekonomik të qartë. Kështu, me politika të qarta orientuese bashkimi dhe financimi do t’i mbështesim njerëzit e punës edhe në 2023”, shprehet ajo.

Me mbështetjen e AZHBR-së, janë ndërtuar deri më tani 80 serra të reja diellore moderne të teknologjisë së lartë në 12 bashki të vendit, disa prej të cilave janë shndërruar në komplekset më të mëdha të serrave krahasuar me vendet e rajonit.

Kryesojnë serrat model të kultivimit të fidanëve të perimeve, të prodhimit të perimeve të freskëta, në Fier, Lushnjë, Divjakë, Berat, Durrës, Vlorë teksa ato janë shtrirë edhe në Korçë e Delvinë.

Me mbështetjen e AZHBR nëpërmjet Programit IPARD, fermerët gjithashtu janë mbështetur të investojnë në ndërtimin e serrave diellore të automatizuara, që ka nxitur punësimin, ka ndikuar në rritjen e prodhimit për eksport dhe rritjen e të ardhurave për familjet rurale.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHiqet barrikada në anën e Serbisë në Merdarë
Artikulli tjetërFOKUS – OKB pezullon programet në Afganistan, pas ndalimit të punës së grave