TIRANË, 21 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama informoi sot se qeveria do të rrisë edhe më shumë stimujt për ata studentë që futen në rrugën e mësuesisë.
I pranishëm në ceremoninë “Mësuesi i Vitit 2022”, Rama theksoi se deri para disa vitesh për mësuesi hynin ata që ishin në pamundësi për të marrë çdo degë tjetër.
“Më të dobëtit përfundonin aty. Këta prezumohej që ktheheshin në mësues. Ne që në fillim rritëm shkallën e kërkesës për ata që hyjnë në shkollën e mësuesisë. Sot që flasim shkolla e mësuesisë është një nga programet që janë prioritet kombëtar”, tha Rama.
Në këtë drejtim, ai informoi se “studentët që ndjekin mësuesinë do të përfitojnë një bursë sa paga minimale”.
“Përveç kriterit të një note mesatare të rëndësishme që do të jetë në fuqi, do të marrin edhe pagën e përmuajshme deri në përfundim të shkollës, sepse do të marrin përsipër pas shkollës diçka që është gjëja më e rëndësishme dhe e shtrenjtë, fëmijët”, tha Rama.























