Ballina Aktualitet

Berisha: Buxheti për kërkimin shkencor 10 herë më i ulët se mesatarja e vendeve të BE-së 

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/  Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me pedagogë të universiteteve, me të cilët diskutoi mbi gjendjen e arsimit të lartë në vend.

Në fjalën e tij gjatë takimit Berisha tha se “mblidhemi në një moment kur kjo qeveri me në krye Edi Ramën, me vendimin e fundit, po i jep një ‘colpo di gracia’ universiteteve, arsimit të lartë në Shqipëri. I nisur nga një refleks armiqësor ndaj arsimit të lartë, trupës pedagogjike, e studentëve, në këto vite të qeverisjes, universitetet e vendit kanë pësuar ndryshime të rënda, në çdo aspekt të tyre”.

“U godit liria akademike, kushti i të gjitha kushteve që një universitet të funksionojë, të përmbushë misionin e tij. Shprehje e goditjes së lirisë akademike janë të shumta, por ata kulmuan kur Edi Rama vendosi të caktojë me bandën më të rrezikshme të Tiranës, rektorin e universitetit. Kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë të paktën 3 shekujt e fundit”, nënvizoi Berisha.

Sipas Berishës, ky akt dëshmonte se cili është koncepti i tij për universitetin.

“Ky akt u shoqërua nga vendimi për të bllokuar mbrojtjen e gradave shkencore në universitete publike. Ky vendim shënonte ndërprerjen e veprimtarisë kërkimore shkencore të këtyre institucioneve, të atij aktiviteti që përbën oksigjenin e zhvillimit të tyre. Ky akt u shënua me rënien dramatike të buxhetit për kërkimin shkencor.  Shqipëria ka një buxhet për kërkimin shkencor 10 herë më të ulët se mesatarja e vendeve të BE-së. Kjo ishte një praktikë ‘brain draining’ për universitete tona”, theksoi Berisha.

Kreu i PD-së u shpreh se “ky qëndrim ishte jashtëzakonisht i dëmshëm për universitetet tona”.

“Për të bërë një kërkim duhet të firmoset nga ministri. Këta punojnë për të krijuar kushte që ju të largoheni nga Shqipëria, mjekët të largohen nga Shqipëria”, tha Berisha.

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Biden-Zelensky-t: I lumtur që ju kam këtu, kemi shumë për të diskutuar
Artikulli tjetër“Mësuesi i vitit”, Kushi: Punësimet me meritokraci e transparencë