Ballina Aktualitet

Xhaçka: Samiti riafirmoi angazhimin e BE-së për të përshpejtuar integrimin e rajonit

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se Samiti i 6 dhjetorit riafirmoi angazhimin e Bashkimit Europian për ta përshpejtuar procesin e integrimit të rajonit në BE.

Në një intervistë televizive, Xhaçka u shpreh se “duke u ulur si të barabartë në Shqipëri, të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, mendoj se BE përcolli një mesazh të fort dhe një qasje të re ndaj rajonit”.

“Tashmë vendet e rajonit po shihen jo më si nxënës të përfshirë në një proces sfidues reformash transformimi që në fund do t’i lejojnë anëtarësimin, por si partnerë”, tha ajo.

Sipas Xhaçkës, mesazhi ishte shumë i qartë që vetë Ballkani Perëndimor ka bërë goxha progres në procesin e integrimit dhe që Europa dhe në kontekstin e sfidave të përbashkëta të sigurisë sot është gjithnjë e angazhuar dhe riafirmon angazhimin e saj përmes mbajtjes së Samitit në Shqipëri.

“Në samit pati një hov të ri si për procesin e integrimit, për mbështetjen ndaj rajonit apo bashkëpunimit mes BE-së dhe rajonit dhe mes vetë vendeve të rajonit. Ky ishte fokusi i takimit. U prekën tema të rëndësishme për qytetarët dhe për të cilat liderët u angazhuan se do t’i përshpejtonin edhe më tej. Çështja kryesore ishte integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, e cila është kthyer tanimë në krye të axhendës së BE-së pas luftës në Ukrainë dhe ky ishte një zotim”, tha ajo.

Por sipas ministres “nuk ka një datë të përafërt për këtë, sepse vendet duhet të vazhdojnë të bëjnë detyrat e tyre për të vazhduar këtë proces”.

“Por ka një riafirmim të angazhimit të BE-së për ta përshpejtuar këtë proces e ndjekur me shumë vëmendje duke i dhënë një rëndësi strategjike integrimit të rajonit në BE. U diskutuan mënyrat e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e politik. Fokus të veçantë kanë pasur të rinjtë dhe perspektiva e tyre, arsimi, mundësi më të mira për të rinjtë e rajonit. U diskutua për progresin e bërë për integrimin e rajonit në tregun e brendshëm të BE-së, për modernizimin e sistemeve të pagesave në përputhje me standardet e BE-së”, tha ajo.

E pyetur nëse kishte mosmarrëveshje mes liderëve në samit, Xhaçka u shpreh se “nuk ka mosmarrëveshje mes liderëve europianë gjatë samitit, përkundrazi ka pasur një angazhim me zë shumë të lartë, me zotim shumë të qartë për ta vazhduar mbështetjen”.

“Nuk kishte tension mes Kosovës dhe Serbisë në samit. Ajo është një çështje vërtetë sensitive në këtë moment, për të cilën janë angazhuar të gjithë aktorët. Ai konflikt dhe ai sensitivitet nuk u reflektua atje, kishte diskutime shumë konstruktive për bashkëpunim dhe gjithë fryma ishte e tillë”, tha ajo.

Ministrja theksoi se “tema e integrimit të rajonit në BE ishte vërtetë prioritare në samit”. “U diskutua mbi zbatimin e korsive të gjelbra për të lehtësuar tregtinë ndërrajonale, u diskutuan veprime të koordinuara për çështje të sigurisë e mbrojtjes që janë shumë të rëndësishme në kontekstin e luftës”, informoi ajo.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKryeministri i Portugalisë për Samitin: Njohje e përpjekjeve të Shqipërisë për integrim
Artikulli tjetërTirana fiton Superkupën, mposht 3-2 Vllazninë