Ballina Aktualitet

SPAK 15 procedime penale gjatë nëntorit, 32 konfiskime pasurie

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH – I. Vata/ Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, gjatë muajit nëntor ka konfiskuar 16 pasuri të paluajtshme, 5 pasuri të luajtshme, 11 subjekte tregtare.

Në statistikat për muajin nëntor, SPAK njoftoi se janë paraqitur 12 kallëzime penale, nga të cilat, për 4 kallëzime është vendosur mosfillim i hetimeve.

“Janë regjistruar 15 procedime penale, nga të cilët 3 procedime për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 12 procedime për vepra penale që lidhen me korrupsionin. Janë dërguar për gjykim 4 procedime penale me 15 persona të pandehur për vepra penale që lidhen me korrupsionin. Bazuar në kërkesat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, janë miratuar nga Gjykata e Posaçme masa sigurimi personal ndaj 23 personave nën hetim. Pas kërkesave përfundimtare të prokurorëve të posaçëm, është dhënë nga Gjykata e Posaçme një  vendim themeli, janë deklaruar fajtorë 2 persona të pandehur”, thuhet në njoftim.

Po ashtu SPAK njofton se në kuadër të ligjit antimafia është dhënë nga gjykata 1 vendim konfiskimi sipas të cilit janë konfiskuar: 16 pasuri të paluajtshme. 5 pasuri të luajtshme. 11 subjekte tregtare, ndër të cilët: 4 subjekte tregtare të konfiskuara plotësisht dhe kuotat përkatëse për 7 subjektet e tjera tregtare.

“Janë kthyer 63 përgjigje për shkresa të ardhura nga institucione të ndryshme lidhur me statusin e shtetasve dhe zyrtarëve publikë shqiptarë në raport me procedimet penale ndaj tyre. Janë ekzekutuar 5 vendime penale të formës së prerë; nga këto: 2 vendime kanë marrë formë të prerë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe 3 në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Janë nxjerrë urdhra ekzekutimi për 10 të dënuar. Janë nxjerrë 2 urdhra ekzekutimi për konfiskimin e pasurive të luajtshme: Automjete: 4 copë aparate celulare: 8 copë të markave të ndryshme. Janë miratuar nga prokurorët e posaçëm 25 vendime për miratim takimesh të të paraburgosurve me familjarët e tyre dhe 4 vendime për lejimin e kryerjes së bisedave telefonike. Është vënë në ekzekutim një letërporosi e ardhur nga autoritetet e huaja të drejtësisë, si dhe janë dërguar 7 letërporosi për ekzekutim pranë autoriteteve të huaja. Është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar e 2 shtetasve shqiptarë. Në funksion të hetimeve të përbashkëta ka qenë e nevojshme zgjatja e afateve për Skuadër të Përbashkët Hetimore, si dhe zgjerimi i një skuadre të përbashkët hetimore duke përfshirë si palë në marrëveshje edhe një anëtar tjetër nga autoritetet e huaja. Për sa i përket skuadrave të përbashkëta hetimore, në kuadër të procedimeve penale në hetim janë mbajtur 6 takime koordinuese me autoritetet e huaja, palë në këto marrëveshje nga të cilat, 3 takime janë zhvilluar jashtë vendit dhe 3 takime janë zhvilluar në Shqipëri”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu SPAK njofton se në kuadër të 30-vjetorit të krijimit të Drejtorisë Kombëtare Antimafia (DNA), Itali, si dhe në kuadër të bashkëpunimit në rritje të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia (DNA), në datën 8 nëntor 2022 në Shqipëri u mbajt një simpozium.

Në datën 14 nëntor 2022, në Bukuresht, Rumani u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit të Rumanisë dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë. Përveç takimeve koordinuese në kuadër të skuadrave të përbashkëta hetimore, Drejtuesi si dhe Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë marrë pjesë edhe në 7 takime, tajnime e konferenca.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKrifca me homologun italian: Ndihmojmë fermerët të dalin në tregje ndërkombëtare, program i veçantë për vajin e ullirit
Artikulli tjetërRama në samit: A nuk është vallë koha që BE të përgatisë program të prekshëm Ripërtëritjeje Europiane