Ballina Aktualitet

Dita intensive e samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale pamje nga zhvillimet që shoqëruan mbajtjen e samitit BE-Ballkani Perëndimor dje në Tiranë, që nga mbërritja e liderëve të shteteve anëtare dhe atyre ballkanike, mbulimin nga media ndërkombëtare dhe ajo vendase, pritja protokollare nga Kryeministri si mikpritës i samitit, takimet në mjediset e samitit, dhe aspekte të tjera që përmbyllën një aktivitet të suksesshëm, i pari i këtyre përmasave.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor që u 6 mbajt në Tiranë ishte samiti i parë i këtij lloji që zhvillohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe rikonfirmoi rëndësinë e partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë drejt BE-së.

Në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë morën pjesë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti, Josep Borrell, Komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi, si dhe krerët e shteteve apo qeverive të shteteve anëtare të BE-së dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor.

Organizimi i samitit për herë të parë në rajon është një shenjë e qartë e përkushtimit të fortë të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe rrugën e tij drejt BE-së.

Udhëheqësit e BE-së riafirmuan angazhimin e plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor.

Ata bënë thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit bazuar në reforma të besueshme nga partnerët, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritave të veta.

Gjiithashtu në kuadër të Samitit BE – Ballkani Perëndimor u nënshkrua marrëveshja Roaming, e cila i hap rrugë nisjes së procesit për heqjen e tarifës roaming mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGREQI – 30 të arrestuar gjatë përleshjeve të dhunshme me policinë
Artikulli tjetërBalla: Grupi i PPE-së, mbështetës i fuqishëm i procesit të zgjerimit