TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen rikonfirmoi mbështetjen për procesin e zgjerimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, Presidentja e KE-së Ursula von der Leyen tha se këtë vit ka parë ecuri dhe progres.
“Këtë vit kemi parë ecuri, përparim e progres. Kemi pasur konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Shkojmë një lëvizje të re në këtë proces. Ka qenë një hap historik për çeljen e negociatave.”
Tashmë theksoi ajo, po vijon procesi i vlerësimit analitik të legjislacionit.
“Kemi rekomanduar dhënien e statusit të vendit kandidat Bosnjë-Hercegovinës me kusht që të merren disa hapa dhe presim të merret një vendim nga Këshilli”, u shpreh Von der Leyen.
Von der Leyen vlerësoi edhe bashkëpunimin rajonal.
“Dua t’ju përgëzoj për këtë ecuri që keni pasur për këtë treg të përbashkët rajonal gjatë muajve të fundit. Është gjë shumë e mirë për rajonin që ju keni nënshkruar marrëveshje me njëri-tjetrin që theksojnë rëndësinë e lirisë për të udhëtuar, studiuar e punuar. Kjo e bën tregtinë më të lehtë në rajon, krijon vende të reja pune, tema këto që janë të rëndësishme për qytetarët dhe theksojnë edhe një herë rëndësinë e këtij samiti”, u shpreh ajo.
Presidentja e KE-së u ndal dhe në çështjen e migracionit.
“Migracioni është një sfidë me të cilën jemi përballur. Kemi interes për të bashkëpunuar në këto aspekte. Bëhet fjalë për menaxhimin e migracionit në formë të përbashkët. Ndaj Komisioni ka propozuar planveprimi për të rritur bashkëpunimin reciprok”, tha Von der Leyen.
Nga ana tjetër, Von der Leyen tha se pret që partnerët e Ballkanit Perëndimor të jenë në harmonizim të plotë me politikën e vizave, në mënyrë që të mbahet regjimi pa viza.
/j.p/r.e/























