TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot në Kuvend se “nëpërmjet rritjes së vazhdueshme të fondit dhe financimit të skemës së Ndihmës Ekonomike për mbi 64 mijë familje e individë, fondi total për këtë program për 2023-shin do të jetë 7.3 miliardë lekë, apo 2 herë më shumë se në 2013-ën”.
Në fjalën e saj në Kuvend duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së Partisë Demokratike Dhurata Çupi lidhur me minimumin jetik në Shqipëri, ministrja Manastirliu theksoi se “ajo që ka rëndësi është që politikat tona mbeten të fokusuara tek përmirësimi i nivelit të jetesës dhe politikat për reduktimin e varfërisë kanë qënë gjithnjë të fokusuara drejt mbështetjes së grupeve vulnerabël, si nëpërmjet dhënies së ndihmës financiare direkte ashtu edhe në shërbime; përfshirë këtu shërbimet shëndetësore, ‘Bonusi i bebes’, librat falas, bursat për nxënësit e studentët, shkollave profesionale, përfitimet nëpërmjet programeve të punësimit, subvencioneve dhe kompensimeve në tërësi për energjinë, transportin, lehtësirat fiskale e deri tek politika e re për mbështetjen e nënave të papuna me më shumë se tre fëmijë”.
“Gjatë krizës natyrore të tërmetit dhe pandemisë, e gjithë vëmëndja ka shkuar për mbrojtjen e atyre më në nevojë përmes paketave të solidaritetit dhe rezistencës sociale. Këtë jemi duke bërë edhe tani, për ti mbështetur nga kriza aktuale, e shkaktuar nga inflacioni i luftës se Putinit, duke forcuar mburojën sociale”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “vetëm brenda këtij viti rritëm me 20% masën në ndihmën ekonomike (NE) për familjet përfituese të skemës, dyfishuam masën e NE për nënat me dy fëmijë e më shumë fëmijë, dyfishuam masën e NE për të moshuarit pa pension pleqërie, trefishuam masën e NE për femijët pa kujdes prindëror. Sa i përket kategorisë së personave me AK, mbështetja sigurohet përmes transfertave direkte në cash, por dhe në shërbime sociale të cilat po zgjerohen edhe përmes mekanizmit të fondit social”.
Sipas saj, indeksimi i pagesave të paaftësisë bëhet çdo vit dhe këtë vit u krye indeksimi me 7,5 % të pagesave për PAK plus rritjes së masës së mbështetjes me 30% për shpenzimin e energjisë elektrike nga 1 tetori i sivjetshëm.
“Vullneti ynë është i palëkundur siç kemi treguar deri më sot, për të forcuar sistemet e mbrojtjes sociale dhe për të rritur edhe më shumë mbështetjen për çdo individ dhe familje në nevojë”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu informoi se “sipas të dhënave të EU-SILC 2020, të botuar nga INSTAT rezulton që shpërndarja e përfitimit të ndihmës ekonomike mbulon 82,5% nga quintili i parë dhe i dytë (ose i dy grupeve të para të popullatës së vlerësuar), ndërkohë sipas studimit të Bankës Botërore skema e vjetër e ndihmës ekonomike arrinte të mbulonte përpara reformës që ne ndërmorëm, vetëm 22% të familjeve të varfëra”.
Deputetja e PD-së Çupi tha se ka 32 vite dhe ende nuk është miratuar minimumi jetik.
“E keni katandisur Shqipërinë në mjerim. Është e pafalshme që ju, 9 vite në qeveri, keni marrë borxh 4 mld euro, por nuk i keni përdorur për të rritur minimumin jetik dhe me sa shoh nuk e keni ndërmend. Po i trajtoni njerëzit vetëm si statistika. Vendosni minimumin jetik”, u shpreh Çupi.
/k.s/r.e/





















