TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi u shpreh sot i bindur se mazhoranca do të fitojë shumicën e bashkive në zgjedhjet e 14 majit 2023.
Duke folur në një intervistë televizive, Koçi tha se ndryshimi i qeverisjes mes së majtës dhe së djathtës është i dukshëm.
Ai solli shembullin e Tiranës, ku theksoi se atë që ka bërë Rama dhe Veliaj për Tiranën nuk e kanë bërë dot kurrë as Basha dhe as të tjerë.
“Ne patjetër që do të marrim shumicën e bashkive. Unë mendoj se ne do të jemi afër numrit 40, më shumë apo më pak nuk e di, po që do t’i fitojmë zgjedhjet. Një arsye është dhe pragmatizmi zgjedhor. Do të thoni cili është? Gjithmonë zgjedhësi preferon një pushtet vendor i cili është në një linjë dhe me një ngjyrë me qeverinë qendrore, sepse faktet kanë treguar që në Fier, sa ishte Berisha ishte e pamundur që të punonte pushteti vendor. Me ardhjen në pushtet të PS-së, u zhvilluan shumë projekte të cilat janë bashkëveprim i qeverisjes vendore me atë qendrore. Zgjedhësi e sheh dhe këtë gjë. Përtej asaj pastaj, në përvojë marrim që nga Tirana vetë këtu, që ndryshimin mes qeverisjes së kryetarëve të bashkisë nga PS me ata që ka pasur PD, është si dita me natën”, tha ai.
Koçi theksoi se “atë që ka bërë Rama dhe Veliaj për Tiranën nuk e kanë bërë dot kurrë as Basha dhe as të tjerë”.
/m.m/r.e/













