UASHINGTON, 1 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte, janë pritur në një takim nga presidenti amerikan, Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë një fjalimi para Shtëpisë së Bardhë, të dy presidentët theksuan partneritetin e ngushtë mes dy vendeve, edhe përballë krizave aktuale.
“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe krizat e shumta me të cilat përballen vendet dhe shoqëritë tona nënkupton se ne duhet të bëhemi përsëri vëllezër që luftojnë së bashku në të njëjtën anë”, tha Macron.
Macron ndodhet në SHBA në një vizitë zyrtare disaditore. Ndryshe nga vizitat e rregullta të punës, protokolli është shumë më kompleks dhe përfshin edhe banketin shtetëror.
Macron është i ftuari i parë i huaj në mandatin presidencial të Biden që nderohet me këtë pritje.//a.i/






















