Ballina Flash

Ndahet nga jeta Atalanta Pasko

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare Atalanta Pasko, e bija e Mitrush Kutelit. Atalanta Pasko, ishte regjisore montazhi, gazetare dhe përkthyese.

Mësohet se kohët e fundit vuante nga një sëmundje e rëndë.

Atalanta Pasko ka lindur me 23 prill 1951 në Tiranë. Në vitin 1970, filloi punë në Kinostudion “Shqipëria e Re”, në sektorin e montazhit. Pas një specializimi të shkurtër, montoi filmat e parë dokumentarë, ndërkohë që paralelisht kreu studimet e larta për gjuhë-letërsi, duke përvetësuar gjuhën frënge dhe italiane.

Filmi i parë artistik i saj si regjisore montazhi ishte ai “Në fillim të verës”. Më pas ajo kryen montazhin e mbi 20 filmave artistikë si “Gjeneral gramafoni” (1978); “Nusja dhe shtetrrethimi” (1978); “Radiostacioni” (1979); “Apasionata” (1983) për të cilin u nderua me çmim për komponentët në Festivalin e 6-të të Filmit Artistik Shqiptar në tetor 1985; “Fushë e blertë, fushë e kuqe (1984); “Treni niset në shtatë pa pesë” (1989); “Shpella e piratëve” (1991) etj.

Në vitet ’90-91 mori pjesë në proceset demokratike dhe bëri disa shkrime në organet e ndryshme të shtypit demokratik.

Në vitin 1992 u punësua në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, fillimisht si përkthyese, dhe pas një viti si drejtoreshë e lajmeve të jashtme. Vitet e fundit të punës në ATSH, punoi si drejtuese e sektorit për Kosovën.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak​Osmani në Bullgari: BE të jetë e qartë ndaj Serbisë për dialogun
Artikulli tjetërKlubi Parlamentar për të Rinjtë organizon takim në Kuvend