Ballina Flash

Jep dorëheqje presidenti Andrea Agnelli dhe i gjithë bordi i Juventusit

TORINO, 29 I gjithë bordi i drejtorëve të Juventusit, përfshirë presidentin Andrea Agnelli, kanë dhënë dorëheqjen për shkak të akuzave për mashtrim kontabiliteti, njoftoi klubi italian i futbollit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vendimi erdhi pas një takimi të jashtëzakonshëm ku u morën opinionet rreth kontabilitetit nga ekspertë të pavarur, thuhet në deklaratën e klubit.

“Bordi i drejtorëve, duke marrë parasysh fokusin dhe rëndësinë e çështjeve të pazgjidhura ligjore dhe tekniko-kontabiliteti, e konsideron në interesin më të mirë t’i rekomandojë Juventusit të emërojë një bord të ri drejtues për t’u marrë me këto çështje”, thuhet në deklaratë.

Nën drejtimin e Agnellit, i cili u emërua në vitin 2010, Juventusi fitoi nëntë tituj radhazi në Serie A deri në sezonin 2019-20.

Bordi i ri i drejtorëve do të konfirmohet në takimin e planifikuar për më 18 janar, ndërsa Maurizio Scanavino do të jetë menaxheri i përgjithshëm deri atëherë.

Gjatë sezonit 2021-2022, Juventus shënoi humbje prej 254,3 milionë eurosh, humbja më e madhe e regjistruar në historinë e Serie A-së.

Klubi aktualisht mban pozitën e tretë në Serie A, 10 pikë prapa kryesuesit të tabelës Napoli.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMINT, 7 atashe ekonomikë në vitin 2023
Artikulli tjetërSveçla: Trajtimi i rasteve të dhunës, prioritet për policinë