Ballina Flash

Në Pragë festohet Pavarësia e Shqipërisë

TIRANË, 26 nëntor/ATSH – I. Vata-/ Me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit në Pragë u organizua një pritje festive, ku ishin të ftuar përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Ceki, zyrtarë të lartë të shtetit dhe politikës ceke, bashkëkombës nga të gjitha trevat shqiptare si edhe miq e dashamirës.

Festimet e këtij viti përkojnë edhe me 100-vjetorin e vendosjes se marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Çekisë (Sllovakisë), që përbën një moment të rëndësishëm në historikun e marrëdhënieve mes dy vendeve.

I ftuar i nderit në këtë mbrëmje ishte ish-Presidenti Vaclav Klaus si dhe Zv. Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë, Martin Tlapa, i cili mbajti edhe përshëndetjen e rastit për të pranishmit.

Në fjalën e tij, Ambasadori Ilirian Kuka theksoi se, në këtë ditë të veçantë shqiptarët kudo ku jetojnë nderojnë sakrificat dhe përpjekjet për liri, dinjitet dhe prosperitet. Ambasadori Kuka shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme qe Republika Çeke i ka dhëne Shqipërinë në procesin e integrimit në BE si dhe përkujtoi  100 vjetorin e  marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona.

Këtë mbrëmje e bënë edhe më të këndshme tingujt e muzikës te luajtura nga artisti shqiptar me fame ndërkombëtare Olen Cesari, i cili se bashku me grupin e tij performoi me mjeshtëri pjese nga repertori i muzikës tradicionale shqiptare dhe ndërkombëtare.

Ambientet e kësaj Feste ishin zbukuruar me një ekspozitë me portrete të krijuara me një teknikë të veçantë nga shqiptari i talentuar Edison Abazi, ndërsa në sfond u shfaq një video promovuese për vendin  tonë. Pjesëmarrësit shijuan gjithashtu edhe specialitete të kuzhinës shqiptare.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak3 vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit
Artikulli tjetër“Kampioni në Shkollën Time”, Kushi dhe Cana me nxënës të “1 Qershorit”