Ballina Aktualitet

Reshjet e shiut, Çako: Situata në Shkodër e përmirësuar

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/  Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, informoi sot se situata në Shkodër është përmirësuar, ndërsa 1/3 e sipërfaqes së përmbytur tashmë nuk është më nën ujë dhe se shumica e familjeve të evakuuara janë kthyer në shtëpitë e tyre.

Në një intervistë televizive, Çako theksoi se “përmbytja erdhi si pasojë e shkaqeve natyrore dhe ka shpjeguar se nuk mund të shpallej gjendja e fatkeqësisë natyrore, pasi nuk jemi në kushtet e parashikuar në ligj në lidhje me rrezikshmërinë që paraqet situate”.

Çako u shpreh se Qendra Kombëtare e Emergjencave Civile bën rifreskim informacioni në mënyrë të vazhdueshme.

“Vijon rënia e nivelit të ujit, ka pasur përmirësim të ndjeshëm. Rruga në harkun e Bërdicës u hap që dje dhe niveli në lumin Drin që Shkarkon në Bunë në urën e Baçallëkut, Kiri dhe Gjadra janë në rënie.  Sipërfaqja e përmbytur nga 4350, aktualisht është në 1/3 dhe familjet shumica janë kthyer në banesa. Strukturat janë në ndihmë të qytetarëve dhe në aksion”, nënvizoi Çako.

Kreu i Emergjencave Civile u shpreh se “më vjen keq që abuzohet me shpalljen e fatkeqësisë natyrore, sepse në ligj nuk ekziston shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme”.

“Në rastin konkret nuk jemi në kriteret e përcaktuara nga ligji, kërkohen të tjera parametra mbi riskun për jetën e qytetarëve, ndërprerjen e jetës normale të të gjithë komunitetit në një zonë dhe kërkon vendimmarrje nga qeveria. Nuk jemi në kriteret e ligjit 45.Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka njoftuar zyrtarisht bashkitë në risk dhe ligji ka një parim që i jep përgjegjësi njësisë vendore për masat që duhen marrë. Bashkitë e prefekturat kanë hartuar planet e tyre të masave për dimrin”, tha Çako.

Ai theksoi se kryebashkiakët kanë një program të veçantë parashikimin e motit dhe masat që duhet marrë.

“Çështja e përmbytjeve ka faktorë natyrorë që duhen marrë në konsideratë dhe intensiteti i lartë i reshjeve ka bërë të mundur rritjen e nivelit të ujërave. Ka ardhur nga natyra. Abuzohet me çështjen e hapjes së digave. Ishim në sezon vere me mungesë të jashtëzakonshme shiu. Të tre basenet kanë qenë nën nivel. Në 24 orë në Koman dhe Vaun e Dejës u rrit ndjeshëm niveli. U rritën agregatet, por nuk u hapën digat”, tha Çako.

/k.s/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNdreu: Hapëm 400 km kanale kulluese, situata nuk u përkeqësua
Artikulli tjetërBalluku-Berishës: Të ka vdekur nderi dhe fjala, asnjë krahasim mes menaxhimit të kaskadës sot me 2005-2013