TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta zhvilloi sot një takim me strukturat e Partisë së Lirisë në Lezhë nga ku theksoi se kjo forcë politike ka sjellë një energji pozitive dhe shpresëdhënëse në mbarë vendin.
Meta u bëri thirrje të rinjve që të luftojnë më shumë për të drejtat dhe për të ardhmen e tyre.
“Bashkimi i të rinjve është një fuqi bërthamore”, theksoi Meta, i cili shtoi se, “shpreh vullnetin e Partisë së Lirisë dhe vullnetin tim për një Shqipëri që iu përket të rinjve dhe të gjithë atyre të cilëve duhet t’ua heqim nga mendja idenë se vetëm largimi nga Lezha dhe Shqipëria mund t’iu japë një jetë më të mirë”.
“Sot dhe Forbes e rendiste Shqipërinë si vendin e tretë në botë sa iu takon të larguarve. Si një vend që ka lënë pas Sirinë, Afganistanin e shumë vende të tjera në gjendje lufte. Shkaqet janë të qarta, pasiguria e madhe për të ardhmen, korrupsioni i jashtëzakonshëm, pamundësia e të rinjve për të pasur një jetë të garantuar, me dinjitet, me paga që garantojnë një dinjitet në shoqëri dhe mundësi për të ndërtuar të ardhmen”, tha Meta.
Ai u shpreh se, “është koha për të bërë gjithçka që t’i japim fund këtij regjimi shpresë-vrasës, që quhet Rilindja. Këtë gjë e kanë të qartë dhe socialistët e ndershëm. Ju jeni dëshmitarë të dallimeve të mëdha në të kaluarën dhe të sotmen për sa i takon dëgjimit të zërit të qytetarëve, konsultimit me ta të projekteve të qytetit. Ju jeni dëshmitarë se si janë braktisur fusha e bregut të Matës, e Torovicës, Zadrimës dhe askush nuk punon sepse qeveria e ka braktisur bujqësinë e blegtorinë, jo vetëm në Lezhë”.
“Përse duhet të eksportojë Maqedonia e Veriut 3 deri në 4 herë më shumë ushqime, prodhime bujqësore, blegtorale se sa Shqipëria. Në këtë vend pothuajse janë përgjysmuar dhe bagëtitë sepse nuk ka pasur asnjë politikë serioze për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë. Ndaj ikin shqiptarët nga kjo mungesë mbështetjeje dhe perspektive”, theksoi Meta.























