FRANKFURT, 18 nëntor /ATSH-DPA/ – Eurozona duhet të përgatitet për rritje të normave të interesit, paralajmëroi sot presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (ECB) Christine Lagarde, teksa përshkroi përpjekjet e bankës për të frenuar inflacionin.
“Ne presim të rrisim më tej normat”, tha ajo në Kongresin Bankar Evropian të Frankfurtit.
”Në fund të fundit, ne do të rrisim normat në nivele që e kthejnë inflacionin në objektivin tonë afatmesëm në kohën e duhur”, theksoi Lagarde.
Synimi i BQE-së është të mbajë inflacionin në rreth 2,0%.
Por, të dhënat e tetorit e vendosin inflacionin e eurozonës në 10,6% më të lartë se i njëjti muaj i një viti më parë.
Norma e inflacionit në Gjermani, ekonomia më e madhe e Evropës, qëndron në 10,4%.
“Inflacioni në eurozonë është shumë i lartë, pasi ka arritur dyshifrore në tetor për herë të parë që nga fillimi i bashkimit monetar”, tha ajo.
Në të njëjtën kohë, ajo paralajmëroi se rreziqet e recesionit ekonomik janë rritur, pavarësisht disa surprizave pozitive të fundit në të dhënat e PBB-së.
“Normat e interesit janë dhe do të mbeten mjeti kryesor për rregullimin e qëndrimit tonë”, tha Lagarde./ a.jor.






















