TIRANË, 18 nëntor/ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se më datën 6 dhjetor do të zhvillohet protesta e radhës e opozitës.
Deklarata e kryetarit të PD-së Berisha erdhi në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike të Rithemelimit.
Ai theksoi se, “protesta e 12 nëntorit duhet të vazhdojë me protesta të tjera dhe data 6 dhjetor mendoj unë, është një datë, rast historik, që populli opozitar të ngrejë zërin e tij përpara përfaqësuesve më të lartë të demokracive evropiane, para të gjithë botës”.
“Ne mirëpresim dhe u urojmë mirëseardhjen e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. Protesta jonë synon para së gjithash të dëshmojë se në këtë vend, i cili po varfërohet, vidhet, shkretohet çdo muaj e më shumë, aspiratat demokratike janë të forta. Ftoj që ta marrim këtë protestë tonën si një akt mirëpritje ndaj tyre dhe pa dyshim një akt armiqësor, flagrant, të hapur, ndaj Edi Ramës, i cili me aferat e tij turpëron çdo komb, qytetar, njeri, lirinë, pluralizmin, të drejtat, transparencën dhe çdo gjë tjetër”, tha ai.
/r.e/






















