TIRANË, 14 nëntor/ATSH/- Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski deklaroi sot se “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë shembull i vërtetë se si ndërtohen marrëdhëniet e mira fqinjësore. Në momentet kryesore ne kontribuojmë për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rrjedhimisht edhe për Evropën”.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama pas mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski tha se “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut gjenden sot në rrugën evropiane”.
“Dua të falënderoj kryeministrin Rama dhe Shqipërinë për mbështetjen që e kemi pranuar gjatë periudhës së kaluar, veçanërisht në tryezën politike në Bruksel. Ju, Edi, dhe delegacioni juaj i dhatë mbështetje të plotë Maqedonisë së Veriut, edhe pse disa nuk ju besonin. Por të dyja vendet me negociatat e filluara shumë shpejt, po shkojmë drejt rrugës evropiane”, theksoi Kovaçevski.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut u shpreh se “miqtë njihen në vështirësi dhe ne këtu kemi mjaft vështirësi në Ballkan dhe është mirë që të kemi miqësi si e Shqipërisë. Është e qartë që së bashku mund të bëjmë shumë më tepër dhe këtë mbështetje do ta mbaj mend e do ta çmoj përgjithmonë”.
Duke folur për krizën energjetike, Kovaçevski tha se “nga kjo krizë do të dalim së bashku dhe askush nuk do të jetë i lënë vetëm. Shumë lehtë është të flitet për të kaluarën dhe atë që na ndan, por të flitet për zhvillim, për të ardhmen, për atë sesi të sigurohen standardet evropiane në shtëpi kërkon punë, vizion e lidership. Ne këtë e kemi dhe do t’ia dalim që të kalojmë dimrin e vështirë dhe të japim premtime që vitin e ardhshëm do të jetë më mirë”.
Kovaçevski bëri të ditur se “firmosëm shumë memorandume për avancimin e procesit në të gjitha fushat me fokus të veçantë energjetikën, ku është drejtuar edhe vëmendja e të gjithë botës”.
Duke e cilësuar ndërlidhjen e shteteve thelbësore, Kovaçevski tha se “sot firmosëm memorandum bashkëpunimi për zhvillimin e infrastrukturës rrugore mes të dy shteteve. Do forcojmë përpjekjet e përbashkëta për përfundimin e Korridorit të 8-të deri në fundin e vitit 2030”.
Kryeministri Kovaçevski përmendi edhe nënshkrimin e marrëveshjes për kthimin e ikonave të nxjerra në mënyrë të paligjshme nga Maqedonia e Veriut.
“Pas nënshkrimit ditën e sotme të kësaj marrëveshjeje, ikonat do t’i kthehen kishave ortodokse”, shtoi ai.
/k.s/r.e/























